Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook pasi që një deklaratë e tij, sipas deputetit është keqinterpretuar në mediat vendore.
Ai ka thënë se dje ka folur për Projektligjin për Pagën Minimale, por se ka thënë se deklarata e tij ka qarkulluar gabimisht në media ku është thënë se me rritjen e pagës minimale në 250 euro, do të zgjidhet problemi i ikjes së qytetarëve nga Kosova, shkruan lajmi.net.
Basha ka deklaruar se ai ka thënë që Ligji për pagën minimale zgjidh një pjesë të problemit, por se nuk ka deklaruar që ky Projektligj është zgjidhja.
“Sa për korrektësi, une kam deklaru që ‘Ne po synojmë edhe rritjen e pagës, për shkak se arsyja kryesore që ikin janë pagat e vogla, nuk duhet të harrojmë se në leximin e parë ka kaluar ligji për pagën minimale, aty përfshihen mbi 105 mijë qytetarë që marrin më pak se 250 euro neto dhe me pagën minimale zgjidhet ky problem…’. Pra në këtë sekuencë kam fol VETËM për Projektligjin pë Pagën Minimale që zgjidh një pjesë të problemit, por asnjëherë se ky Projektligj është zgjidhja. Për zgjidhjen kam fol në të njejtën intervistë kam cekë edhe masat e shumta që Qeveria Kurti po ndërrmerr që ta zbusin problemin e ikjes nga vendi”, ka shkruar Basha.