Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti në opozitë patë premtuar se nuk do e paguaj energjinë elektrike për katër komunat veriore por për këto dy vite ka paguar 98 milionë euro.
Bajrami në seancën e Kuvendit, ku po vazhdon debati për qeverisjen dy vjeçare, tha se ky është rezultati i punës dy vjeçare të qeverisë, asnjë punë, asnjë projekt, asnjë rrugë, asnjë çerdhe, asnjë shkollë, asnjë shtëpi për të moshuarit, zero transparencë, nepotizëm gjithë andej, ikje qytetarëve, institucione jofunksionale.
“Ju vazhdoni që mos punën ta shihni si sukses, e korrupsionin si luftë ndaj tij por tani po iu njohin të gjithë. Keni ardhur në pushtet me premtime për reforma, investime të mëdha, krijime të vendeve të punës dhe mirëqenie për të gjithë. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmosh, po po në lëmosh sepse në kurriz të inflacionit keni mbledh më shumë se 50 përqind tatime dhe i keni shpërndarë qindra miliona në mënyrë krejt uniforme duke mos qenë në gjendje t’i targetoni qytetarët në nevojë e shpesh herë edhe jashtë këtyre skemave…Zoti Kurti në opozitë patë premtuar se nuk do e paguaj energjinë elektrike për katër komunat veriore por ka paguar për këto dy vite plotë 98 milionë euro”, tha ajo, duke shtuar se dikur thonin se do ta ulin çmimin e energjisë sepse “flemë mbi energji”, por brenda këtij viti është rritur çmimi dy herë.
Asaj iu ka kundërpërgjigjur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Banka zhvillimore, fondi sovran, të gjitha këto janë premtime të programit për një mandat dhe të gjitha e kanë kohën dhe procedurën dhe ato do të bëhen. Nuk mundeni me shpall të dështuar një qeveri në gjysmë mandati.. Zonja Bajrami nuk ka kontratë të dashur sikur ato që bëheshin në një kohë në Kosovë. Kjo është shumë me rëndësi sepse është standardë i ri, ka respektim të procedurave, të transparencës, të rekrutimit, të reformave në drejtësi“, tha ai.