Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke lexuar nenin 13 të Ligjit për Grevat, ka thënë se në mënyrë specifike mbron të drejtat e të punësuarave gjatë grevë, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se ky paragraf tregon qartë se: Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarave të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës”.
“Edhe pse ky nen nuk lë vend për asnjë dyshim, Qeveria Kurti është duke vazhduar me presionin e saj për të shtypur këtë grevë të paralajmëruar kohë më parë”, ka thënë Bajrami.
“Le të supozojmë se neni 13 nuk ekziston por vetëm neni 18, dhe pikërisht këtë nen e keni shkelur, duke bërë selektime. Më datë 1 u kanë dalë pagat të gjithë punëtorëve të administratës, dhe jo mësimdhënësve. Ju gjithashtu nuk i keni paguar as mirëmbajtësit e shkollave që e kanë një pagë 240 euro, ata kanë shkuar në shkollë çdo ditë. Kur ligjin e zbatoni në mënyrë selektive, atëherë keni bërë shkelje dhe keni bërë shkelje të ligjit për selektim, duke i paguar disa e të tjerët jo”, ka thënë tutje Bajrami.