Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka shprehu shqetësimin e kësaj partie në lidhje me mungesën e materialit të pasaportave.
Azemi tha se po bëhen 5 muaj që qytetarët s’kanë mundësi të nxjerrin pasaporta të reja dhe as të aplikojnë për to.
Gjithashtu, ai tha se për shkak të mungesës së pasaportave, mërgimtarëve të Kosovës po iu rrezikohet puna dhe qëndrimi në vendet ku jetojnë.
“Liria e udhëtimit është një e drejtë bazike, s’është luks. Në kohën kur ne të gjithë jemi mobilizuar, në vend por edhe mekanizmat ndërkombëtar të BE-së për të na ofruar liberalizimin e vizave, shteti s’ka aftësi t’i pajisë qytetarët me pasaporta. Mungesa e aftësisë për planifikim të duhur ka bërë që këto materiale të mungojnë për muaj të tërë. Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti për të qeverisur në të mirë të qytetarëve”.
“Andaj, e shohim si të drejt që ta thërrasim qeverinë në transparencë dhe sqarim që t’ua shpjegojnë qytetarëve të Kosovës se pse s’ka pasaporta, pse ka vonesa dhe presim që këto përgjigje t’i marrim nga ta”.