Avokati i Popullit e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla i cili u sulmua nga persona të panjohur pak kohë pas paraqitjes së tij televizive.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se ky sulm është i papranueshëm dhe cenim i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Kosovë.
“Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për sigurinë e gazetarëve dhe të medieve”, tha ai.
Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi nevojën e mbrojtjes efektive të gazetarëve nga çdo formë e cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Qelaj fton organet kompetente që të hetojnë dhe ndriçojnë këtë rast, dhe ti vënë autorët e sulmit para drejtësisë.