Agjencia e Statistikave të Kosovës po organizon sot javën e regjistrimit të popullsisë, regjistrim ky që do të bëhet në Prishtinë përgjatë tri ditëve.
Java e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë që do të mbahet në datat 8-11 nëntor 2022, synon të mbledhë akterët kryesorë në vend të nivelit qendror, lokal, regjional e ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të Regjistrimit, metodologjinë e qasjet implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore, thuhet në komunikatën për media.
Projekti nacional i Regjistrimit të popullsisë realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale, partnerëve ndërkombëtar, dhe organeve përkatëse të përcaktuara me Ligjin e Regjistrimit të popullsisë. Si një ndër projektet më të rëndësishme nacionale, dhe si një numrin zyrtar në tërë territorin e Republikës së Kosovës, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në periudhën kohore 1 shtator-16 tetor 2023.
“Përmirësimi i afateve kohore dhe modernizimi i prodhimit të të dhënave statistikore, janë garantues për gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja qytetare në regjistrimin, është obligim ligjor, dhe çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet që gjatë regjistrimit zyrtarit për regjistrim të ia ofroj të dhënat e sakta për vete dhe të afërmit e tij/saj”, thuhet në komunikatë.
Për herë të parë në Kosovë, të dhënat e Regjistrimit të popullsisë do të mblidhen në mënyrë digjitale. Metodologjia e Regjistrimit të popullsisë, është në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të Eurostat dhe OKB-së.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, do të zbatojë qasjen gjithëpërfshirëse përmes garantimit të pjesëmarrjes, dhe synimit për të regjistruar secilin banor dhe secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pjesa thelbësore e programit statistikor kombëtar. Viti 2023, do të jetë viti i Regjistrimit të popullsisë që nënkupton realizmin e projektit më të madh statistikor në vend, në ditën referuese 1 shtator 2023 (dita e Regjistrimit).