Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë të këtij viti.
“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen”, njofton ASK-ja, raporton RTK.
ASK-ja ka njoftuar se prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. “Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, njofton ASK-ja.
“Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 28.47%, krahasuar me periudhën e njëjtë (TM3) të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 14.22%. Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 19.45%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, njofton ASK-ja.