Policia e Shqipërisë njofton për arrestimin e 21-vjeçarit, B. Th., me banim në Prishtinë, pasi i njëjti ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit me një motomjet të dyshuar të trafikuar.
Siç njofton policia, shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit. Ky shtetas, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.
“Nga verifikimi rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.