Tre persona janë arrestuar të dielën në Gjilan, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Trafikim me njerëz”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, dy prej të arrestuarve janë shtetas të Shqipërisë, ndërsa një prej tyre shtetas i Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve nga njësitet relevante, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj, dy shtetas të Shqipërisë dhe një kosovar pasi që dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën e lartë cekur. Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një veturë, 2650 € para të gatshme dhe 3 telefona mobil”, thuhet në raportin e policisë.
PK-ja njofton që me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.