Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për blerje, posedim dhe shitje të substancave narkotike.
Sipas njoftimit për media, policia e rajonit të Prishtinës në kuadër të punës së saj për parandalimin e veprimtarive kriminale që po i sjellin dëme shoqërisë, ka intensifikuar veprimet e saj në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të përfshirë në raste kriminale, shkruan lajmi.net.
“Mbrëmë nga njësitë policore të stacionit Qendra, të mbështetur nga Drejtoria për hetimin e narkotikëve, janë arrestuar dy persona të dyshuar, të cilëve u është gjete dhe sekuestruar sasi e substancave narkotike. Personat e dyshuar janë ndaluar derisa policia po kryente kontrolle rutinë, në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë. Pas intervistimit të personave të dyshuar, ndaj tyre është iniciuar rast për blerje, posedim, shitje e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njëri nga personat e dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit po kryejnë procedurat e nevojshme para se rasti të procedohet më tej.