Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar urdhër-arrestin e lëdhuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për arrestimin e Dardan Molliqajt, kryetarit të Partisë Socialdemokrate.
Nëpërmjet një komunikate për media, PK-ja ka njoftuar po ashtu edhe për arrestimin e dy anëtarëve të tjerë të PSD-së, për pengim të kryerjes së detyrës zyrtare nga ana e policëve.
Njoftimi i policisë:
Policia e Kosovës realizon urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë
Prishtinë, 16 qershor 2022
Policia e Kosovës (PK), bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D.M, i cili ishte në kërkim.
Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F.K, Z.H, G.K,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit.
Të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.