Agjencia Kundër-Korrupsion ka ushtruar kallëzim penal kundër Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Berishaj dyshohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, pasi në formularin e deklarimit të pasurisë më 2021, nuk i ka deklaruar aksionet e tij në kompaninë private “MB Consulting”.
Pas zhvillimit të hetimeve paraprake, Anti-Korrupsioni ka proceduar lëndën kundër ambasadorit Berishaj në Prokurorinë e Shtetit më 5 gusht të këtij viti.
Lajmi është konfirmuar nga AKK-ja në një njoftim për portalin Nacionale.com.
“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellësh me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjell në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Skandali Martin Berishaj
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook’ut.
“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit”.
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.