Ish-nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Shaban Kelmendi, i cili ka themeluar qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë dhe që vazhdon të jetë anëtar i VV-së, i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e grevave dhe të qasjes së Qeverisë ndaj sindikatave.
Kelemendi ka kritikuar qasjen e ministrit Hekuran Murati ndaj sindikatave, duke thënë se një qëndrim i tillë është i gabueshëm, provokativ dhe i vrazhdë.
Në letrën e tij të dërguar në email-in e “Gazetës Express”, Kelemendi ka pasur dhe porosi për kreun e Qeverisë, duke thënë se nga përvoja sindikale që ka e di që rruga për të ecur përpara nuk është egoja, arroganca, kushtëzimi, etiketimet e aq më pak kërcënimet mbi ndaljen e pagave.
Shaban Kelmendi ia ka rikujtuar kryeministrit Kurti edhe “grevën e bardhë” si terminologji sindikale, duke thënë se s’do të dëshironte që një e tillë të përfshijë edhe sektorët e tjera e aq më pak arsimin.
Letra e plotë:
LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS Z.ALBIN KURTI
Shumë i respektuari Kryeministër Kurti , jam Shaban Kelmendi kryethemeluesi i qendrës së LVV-së në Fushë Kosovë në vitin 2010 dhe aktivistë i pa lodhëshëm deri në vitin 2016 , ku për shkak të vdekjes së djalit 42 vjeçar për shkaqe objektive më është dashur t’i kthehem obligimeve familjare, natyrisht duke mos e braktisur LVV-ën.
Motivi për t’ua shkruar këtë letër është situata me grevën dhe çasja ndaj saj e në veçanti takimi me strukturat e BSPK-së të datës 13.09.2022, ku nuk pati përafrim të qëndrimeve. Madje në konferencë për media pati tentim të shfajsimit të dikastereve qeveritare.Me këtë rast ministri i financave Z.Hekuran Murati duke u kërcënuar me ndalim të pagave ndaj grevistëve, pavarësisht aftësive profesionale , dëshmoi se nuk ka sens e as kapacitet për tu ballafaquar me problematika të tilla.
Me gjasë Z.Murati nuk ka patur rast të degjoj thënjen popullore se :
“Zjarri me zjarr nuk shuhet” , andaj edhe vazhdon me këtë çasjen më të gabuar, më të vrazhdë dhe më provokuese ndaj sindikatave.Guximi per t’i mbrojtur publikisht të drejtat e punëtorëve dhe atyre kombëtare në kohërat me të vështira të kohës së socializmit nga viti 1974-1988 ka bindur anëtarësinë sindikale të KEK-ut ,që unë të zgjidhem si kryetari i parë i Sindikatave te Pavarura te KEK-ut me 12.08.1990 dhe pas pak kohe edhe në pozicionin e nënkryetarit të dytë të BSPK-së deri në fund të vitit 1994.
Si ish nënkryetar i BSPK-së dhe tani anëtarë i LVV-së , Z.Kryeministër kam në konsideratë disa problematika të theksuara në vija të trasha siç janë :
1. Presioni i shtuar ndërkombëtarë për agjendën e ngjeshur në raport me dialogun Kosovë-Serbi, i cili padyshim kërkon shumë mund dhe sakrificë.
2.Pasojat e përgjithshme nga pandemia e Covid-19 e në veçanti pasojat në arsim ku më së shumti e kanë pësuar nxënësit.
3.Të gjitha pasojat e në veçanti ato ekonomike nga lufta në Ukrainë, të cilat edhe më shumë e kanë vështirësuar mbijetesën e shumë familjeve në Kosovë .
4.Në tërë botën demokratike ,por edhe më gjerë aty ku mbisundon arsyeja ,edukimi dhe arsimimi i brezave të rinjë është prioritet i parë i çdo shoqerie.
Andaj Z.Kryeministër nga përvoja sindikale që kam dhe dëshira për të dalur nga kjo situatë e pakëndëshme, merreni cilën të duani terminologji ,lutje,këshillë apo edhe sugjerim.
Rruga për të dalur nga kjo situatë nuk është egoja,arroganca,kapricioziteti,kushtëzimi i përfaqësimit ,etiketimet e aq më pak kërcënimet mbi ndalesën e pagave.Mençuria,durimi,sinqeriteti dhe mirëkuptimi i argumenteve të qëndrueshme të palëve në dialog janë e vetmja rrugë dalëse nga kjo situatë, që don të thotë forca e argumenteve e jo argumenti i forcës.Në terminologjinë sindikale njifet termi “GREVA E BARDHË “.
Këtë lloj greve në mënyrë perfide sot e kemi të pranishme në PROKURORI dhe GJYKATA të Kosovës ,kur për çdo vit parashkruhen qindra apo edhe mijëra lëndë. Nuk do e dëshiroja këtë lloj greve në sektoret tjera e aq më pak në arsim.Në fjalorin shëndetësorë është një thënje :
” Më mirë është të parandalosh sesa të shërosh”.Raportet e tanishme me sindikatat janë pasojë e mos veprimeve parandaluese të ministrive përkatëse.
Z.Kryeministër , bazuar në këtë që u tha më lartë ,nuk mund të quhen shantazh e as pazarë veprimet nga ana e sindikatave, e aq më pak dobësi qeveritare që të kërkohet një rrugë e mesme për të dalur nga kjo situatë ,ku përfituesit më të mëdhenjë do të jenë nxënësit-fëmijet tanë për të cilët vlen sakrifica e egos ,qoftë e ndonjë ministri apo edhe e kryeministrit tonë.
Me shpresë në mirëkuptim përshendetje nga ish nënkryetari i BSPK-së Shaban Kelmendi.Fushë Kosovë 15.09.2022.