Analisti Shenoll Muharremi ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës të koncentrohet të ofertat e tyre ekonomike.
Ai ka shprehur shqetësimet e tij për deficitin tregtar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka bërë me dije se vetëm në tetor të këtij viti Kosova ka pasur deficit tregtar rreth 500 milionë euro.
“Dje kemi folë si gratë janë të nënpërfaqësuara në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike (vetëm 35.5% nga 100% tri partitë kryesore). Kjo pastaj ndërlidhet me ekononi, se i kemi rreth 450,000 gra jashtë ekonomisë dhe tregut të punës! Ky sot është, mesiguri, problemi dhe sfida më e madhe ekonomike e Kosovës: Deficiti Kronik Tregtar. Vetëm muajin tetor 2024 kemi pasur deficit (humbje tregtare) rreth 500 milionë euro në muaj… e vjetori në mallra ka shku rreth 5 miliardë (sa gjysma e ekonomisë vjetore!). Në total, deficitin tregtar në mallra për 20 vite e kemi rreth 50 miliardë euro. Dmth kemi humbur shumicën absolute e djersës së bizneseve secilin vit”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka kërkuar nga gazetarët që për këtë çështje të iu bëhet presion partive politike.
“Partitë politike ende nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje të vetme për këtë fenomen kryesor. As LVV, as PDK e as LDK nuk kanë treguar si do e zgjidhin këtë problem thelbësor. Shoqëria kosovare, mediat dhe të gjithë personat me ndikim nuk duhet me i leju partitë politike me na folë për tregimet e tyre ‘fituese’ dhe ‘zhvillimore’ pa kaluar në këtë temë. I ftoj të gjithë gazetarët dhe njerëzit me ndikim të kalojnë nga kjo temë dhe të rritet presioni publik që partitë polike të ofrojnë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe bizneset e Kosovës në baza ditore. Nëse këto zgjedhje përfundojnë pa e diskutuar këtë temë dhe pa ofruar zgjidhje, humbjet tona gjatë katër viteve të ardhshme në tregtinë në mallra do të jenë rreth 20 miliardë euro, apo sa gjysma e të gjithë punës kolektive të ekonomisë”, ka shkruar Muharremi.