Vizita e liderëve shtetëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderohet si pozitive për Kosovën nga analistët politikë dhe shtim të presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Arbnor Sadiku e Agron Hoti sugjerojnë se duhet të dëgjohen këshillat e ndërkombëtarëve dhe se asnjë qeveri nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Analisti Arbnor Sadiku mendon se Asociacioni komunave me shumicë serbe nuk mund të themelohet dhe zbatohet në praktikë, pa lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pa vullnetin e komunave me shumicë serbe.
Ai për Ekonomia Online thotë se institucionet kosovare duhet të fillojnë me krijimin e statutit me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Sigurisht që presioni ndërkombëtarë pas vizitës së kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e fondeve të MCC-së, është parë që është në rritje për arsye se ka kaluar një kohë e gjatë që nuk është zbatuar marrëveshja në Bruksel për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe sigurisht që është një obligim i marrë nga Qeveria Mustafa, dhe ajo çfarë do duhej të bënte kjo Qeveri t’i lejojë një draft-statut për themelimin e asociacionit dhe duke u bazuar në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ky draft do duhej shpërndarë së pari QUINT-it, SHBA-së dhe palës serbe, për t’i parë imputet e tyre që mund të jenë nga ana e tyre dhe në të njëjtën kohë për t’i kryer detyrat që i ka Kosova dhe për ta bartur fajin e mospërparimit të dialogut tek pala serbe e mos të mbesë te Qeveria e Kosovës”, thotë ai, raporton EkonomiaOnline.
Teksa ka folur për rritjen e presionit ndërkombëtarë, Sadiku thotë se me shumë gjasë vendi mund të shkojë në zgjedhje.
Sadiku thotë se kryeministri Kurti i ka dy mundësi, krijimin e Asociacionit ose dërgimin e vendit në zgjedhje.
“Ajo çfarë kemi parë ne është që Qeveria Kurti dhe nga ministrat e tij është që Kosova nuk është e gatshme të krijojë një Asociacion i cili është i një anshëm dhe që janë të përfshirë vetëm komunat serbe, që nënkupton se kjo Qeveri nuk është e gatshme të krijojë kurrfarë Asociacioni, e që nënkupton se në vjeshtë të këtij viti, Kosova mund të shkojë në zgjedhje dhe madje me vet vendimin e zotri Kurtit, pasi që presioni amerikan dhe i BE-së për krijimin e këtij Asociacioni do të jetë i madh dhe kjo Qeveri do të ketë vetëm dy rrugë, të krijojë Asociacionin e komunave serbe apo të shkojë në zgjedhje dhe t’i lë mundësinë një Qeverie të re, një koalicioni ndërmjet VV-së dhe partive tjera të krijojë këtë asociacion, pas zgjedhjeve të reja gjithmonë”, thotë ai.
E në anën tjetër, analisti politik, Agron Hoti, thotë për Ekonomia Online, se Qeveria duhet që në koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe me serbët lokal ta hartojnë statutin e Asociacionit.
“Kosova duhet të dialogojë me të gjitha palët në Kosovë, përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, me serbët lokal dhe duhet që Qeveria e Kosovës të fillojë me hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe në këtë drejtim duhet të arrihet ajo që është kërkuar nga Kushtetuta e Kosovës, në mënyrë që mos të krijohet shtet mbi shtet në Kosovë dhe që ky Asociacion i zbehtë i cili në plan afatgjatë nuk do të kishte ndonjë rëndësi në pjesën veriore të Kosovës”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshje me njohje reciproke, Hoti thotë se kërkesa e ndërkombëtareve për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, është shtuar. Thotë se krahas kësaj, marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, të integrohen në marrëveshjen përfundimtare me njohjen reciproke.
“Kosova ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me Serbinë dhe tash këto takimet kanë për qëllim të zbatohen të gjitha këto marrëveshje sepse për këto po na kërkohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, së fundmi edhe nga Gabriel Escobar, i cili tha që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë deri më sot. Kosova duhet të punojë me Serbinë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe që të gjitha këto marrëveshje që janë nënshkruar të integrohen në këtë marrëveshjen përfundimtare, në mënyrë që ta ketë njohjen reciproke në qendër të saj, sepse nëse njohja do të ishte, atëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të shtetensionoheshin dhe do t’i jepet shansi qetësisë dhe integrimit evropian në rajonit tonë”, u shpreh Hoti.