Pas ambasadorit amerikan, edhe ai gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka kërkuar shtyerjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri.
Rohde ka thënë se tashmë është e qartë që nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve më 18 dhjetor, shkruan Reporteri.net.
“Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, ka shkruar Rohde.
Dy ditë më parë ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ai që tha se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, derisa u shpreh i shqetësuar për zhvillimet në atë pjesë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme para mediave foli për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, teksa tha se fillimisht për këtë çështje presin të marrin një vlerësim nga institucionet e sigurisë.
Por presidentja tha se marrja e këtij vendimi është çështje ditësh.
Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
Gjithçka nisi të martën, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Një polic i Kosovës është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit, bëri të ditur Policia mbrëmë në orët e vona, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM.
Ky sulm ka ndodhur pak orë pasi Policia rriti praninë në komunat e veriut.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rrisë praninë e saj në veri, pas situatës së fundit të krijuar atje.
Ky institucion ka thënë se ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend. /Reporteri.net