Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar se Serbia tashmë ka zgjedhur Perëndimin dhe se siç tha ai, marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë po dobësohen dita-ditës.
Hill theksoi se është e rëndësishme që Beogradi i është afruar në mënyrë konstruktive planit të marrëveshjes evropiane me Prishtinën dhe se kjo sipas tij do të ndikojë në shpejtësinë me të cilën Serbia i afrohet Perëndimit.
I pyetur se pse propozimi evropian është sekret, ai tha se nuk do ta quante sekret por diçka që bie në “kanalet tradicionale diplomatike”.
Sipas tij nëse “përpiqemi të merremi me diplomaci përmes mediave, do të ketë shumë keqkuptime, për këtë arsye mendoj se çështjet e tilla duhet të diskutohen ekskluzivisht në tavolinë”.
“Ju mund të shihni se çështja e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë po dobësohet dita-ditës. Mund të shihet se ka një interes në rritje për bashkëpunim me BE-në dhe më shumë interes për bashkëpunim me ne”, deklaroi Hill për N1, transmeton lajmi.net.
Ambasadori amerikan është pyetur nëse pozita e Beogradit në dialog me Prishtinën është më e dobët për shkak se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, teksa tha se këto i konsideron si çështje të veçanta.
Hill është pyetur gjithashtu se kush bashkëpunon më shumë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurt, apo presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, derisa vendosi që të qeshet.
Ai tha se nëse do të mendonte se përgjigja e kësaj pyetje do të ndihmonte në procesin e negociatave, do ta jepte përgjigjen, por në të kundërtën këtë po e lë në imagjinatën e secilit.
Sipas tij, çështja kryesore për përmbushjen e Marrëveshjes së Brukselit është themelimin i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij ka një nevojë urgjente që të gjithë të bien dakord për këtë dhe të kuptojnë se sapo të pranojnë diçka, duhet ta ndjekin atë.
Hill refuzoi të komentojë dokumentet e shumta të publikuara së fundi, e që thuhet të jenë nga marrëveshja evropiane, apo saktësisht nga kërkesa për Asociacion.
Ndryshe të martën në objektin e ambasadës amerikane në Prishtinë janë mbledhur drejtues të shumtë institucional, përfaqësues të partive politike në vend, ata nga Shoqëria Civile si dhe vetë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky takim është zhvilluar pikërisht për të diskutuar në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vazhdimisht Kosovës iu është paraqitur një kërkesë e tillë si nga Amerika, poashtu edhe nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar disa herë radhazi se nuk pranon një Asociacion të tillë, pasi që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Asociacioni apo i quajtur më parë nga partia e Kurtit si “Zajednica”, është kundërshtuar edhe përmes një proteste të zhvilluar në po të njëjtën ditë në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.