Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur i lumtur që ZRrE ka lëshuar licencën për kompaninë Elektrosever që të operojë në katër komunat e veriut.
Abbott ka shkruar se dakordimi për Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë është një hap përpara, raporton Gazeta Express.
“Me kënaqësi të madhe kur dëgjova se bordi i ZRRE-së tani ka lëshuar licencën për Elektrosever për të operuar në katër komunat veriore të Kosovës. Miratimi i Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë nga Kosova dhe Serbia ishte një hap i mirëpritur përpara dhe një shembull i mirë se çfarë mund të bëhet me angazhim fleksibël dhe konstruktiv. Pres me padurim vazhdimin e zbatimit të shpejtë dhe përparimin e mëtejshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Abbott.
Sot, Bordi i ZRrE-së, mori vendim që ta licencojë kompaninë Elektrosever, pronë e shtetit serb të operojë në katër komunat veriore, në bazë të Udhërrëfyesit që u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia në Bruksel.