Ambasada e ShBA-së, në Prishtinë ka përgëzuar MCC-në dhe qeverinë e Kosovës për vendimin që të përshpejtohet procesi i Programit të Kompaktit në takimin e sotëm.
Ambasada në reagim thotë se mezi presin që të bëjnë gjithçka që programi të transformojë sektorin e energjisë në Kosovë raporton Gazeta Express..
“Urime të gjithë të përfshirëve për marrjen e këtij hapi të rëndësishëm drejt rritjes ekonomike më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për #Kosovën. Ne presim me padurim gjithçka që do të bëjmë përmes MCC-së partneritet kompakt për të transformuar sektorin energjetik të Kosovës në vitet e ardhshme”, thuhet në postim.
Programi Kompakt do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, në vlerë prej 236.7 milionë dollarëve. Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi do të përfshijë tri projekte: rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh); zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.
Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.