Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka thënë se ka kërkuar që parlamenti të njohë gjenocidin serb në Kosovë.
Në seancën e sotme të kuvendit, ai tha se ka të drejtë të paraqesë çdo amandament dhe këtë ia njeh rregullorja e Kuvendit.
“Kam kërkuar që Parlamenti të njohë genocidin serb në Kosovë, ju keni frikë të diskutoni dhe të votoni. E drejta ime për të paraqitur amandamente, nuk ma jep as ti dhe as ky që është këtu poshtë. Ma jep rregullorja e Parlamentit. Keni parqitur një rezolutë jashtë të gjitha rregullave, dakord. Unë kam të drejtë dhe kushdo ka të drejtë të paraqesë amandament. Në atë projektrezolutë të parashikohet dhe një gjë që ky Kuvend të njohë genocidin serb në Kosovë. Ju keni paraqitur një projektrezolutë të shpikur nga Dick Marty. Shkaku është genocidi serb në Kosovë. Pse ke frikë ta debatosh, të votosh? Kush je ti që heq të drejtën për të paraqitur amandamente? Je duke bërë shkelje shumë të rëndë. Je duke gënjyer përsëri. Në Komsionin e Politikës së Jashtme shkova, respektova kolegët, prezantova dhe projektrezolutën dhe nuk pati asnjë lloj problemi. Keni vetëm frikë. Nga ju buron kjo frikë që të bëni hasha dhe atë që ka ndodhur në Kosovë në 98-99”, tha ai.