Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke komentuar nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, ka thënë se Evropa është shtëpia e tyre dhe nuk kishin zgjidhje tjetër pavarësisht pengesave nëpër të cilat kanë kaluar.
Ahmeti ka shkruar në Facebook se rrugëtimi sigurisht që nuk ishte i lehtë por nuk ishte edhe i pamundur, pasi që orientimi jonë drejt familjes së madhe evropiane ka qenë i qartë.
Postimi plotë:
Të nderuar qytetar,
Po fillojmë një kapitull të ri. Gjithmonë kemi dëshmuar se bashkë mund t’ia dalim ndaj çdo sfide.
Evropa është shtëpia jonë dhe nuk kishim zgjidhje tjetër pavarësisht pengesave nëpër të cilat kemi kaluar.
Këto 20 vite, treguam se dimë të udhëheqim dhe drejtojmë procese madhore për të mirën e të gjithë qytetarëve, me përkrahje të madhe nga aleatët tanë ndërkombëtar e në veçanti nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Me vendime të guximshme dhe të mençura zgjidhëm sfida që të gjithëve ju dukeshin si mision i pamundur dhe mbyllëm çështjet e hapura dypalëshe.
Në të njëjtën kohë, nuk devijuam në asnjë rast nga kursi europian, nga reformat dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal. Mbetemi të përkushtuar për zbatimin e proceseve reformuese dhe marrëveshjeve të arritura.
Rrugëtimi sigurisht që nuk ishte i lehtë, por nuk ishte edhe i pamundur pasiqë orientimi jonë drejt familjes së madhe europiane ka qenë i qartë.
Shfrytëzoj rastin që të uroj të gjithë qytetarët tanë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke ju siguruar kështu prespektivë të qartë, siguri në vend, rajon e më gjerë dhe një mirëqenie më të lartë, kështu duke menduar për gjeneratat e ardhshme.
Vazhdojmë përpara me plot guxim, vendosshmëri dhe përkushtim maksimal!