Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një takim pune me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.
Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi. Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.
“Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët”, bën të ditur Qeveria në një komunikatë.
“Kryeministri Kurti tha se përkushtimi ynë për krijimin e një klime të respektimit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes organizimit të sotëm, ku siç tha ai, megjithëse nuk është data 10 dhjetor e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, po e vëmë theksin për veprimet që kemi ndërmarrë deri tani e ato që duhet t’i ndërmarrim përpara, ashtu që të shënojmë edhe më shumë progres e t’i rrisim hapat në fushën e të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri theksoi se jemi të vetëdijshëm dhe vazhdimisht i kemi në mendje maksimat e aktivistëve të paepur, që me shembujt e tyre, me thëniet e tyre ikonike si “ekzistimi i padrejtësisë diku është kërcënim për drejtësinë kudo” apo “mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore” na e kanë trasuar rrugën prej së cilës as nuk mund e as nuk duam të dalim, sepse në fakt nuk ka rrugë tjetër.
“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.
Në sesionin e parë folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave. Zëvendëskryeministrja Redžepi, në fjalën e saj theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.
Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.
Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.