Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është deklaruar për vendimet që janë marrë sot në mbledhjen e qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i qeverisë ka thënë se një nga vendimet që janë marrë në mbledhjen e 84-të të qeverisë është miratimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme.
Postimi plotë i tij:
24 vendime në mbledhjen e 84-të
Për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, miratuam udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme. Nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit.
Rialokuam 3 milionë euro për 25 projekte në komuna.
Në kuadër të reformës së drejtësisë, miratuam koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit. Miratuam edhe dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve.
Për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Për parandalimin e trafikimit me njerëz, miratuam Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.
I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak.
Miratuam hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.
Për realizim të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes, miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës.
Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
Për zgjerimin e bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA.