Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë aksion për kontrollin e të gjitha mishtoreve në komunën e Prizrenit.
Në komunikatën e tyre, ky aksion është zhvilluar për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve ligjore që rregullojnë tregtimin e mishit dhe nën produkteve nga mishi.
AUV ka bërë të ditur se në secilin rast kur inspektorët kanë hasur në: mish ose nënprodukte mishi, të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore për tregtim, ato menjëherë janë larguar nga shitja dhe janë bllokuar me proces deri në asgjësim.
“Sasia totale e produkte të ndaluara sot në aksionin e zhvilluar është 35kg suxhuk pa dekleracion, prodhuar në objekt të pa licencuar. Aksioni u realizua përmes 8 grupeve inspektuese, ku ne secilin grup, pjesëmarrës ishte nga dy inspektorë”, thuhet në komunikatën e AUV.
Kontrolli i inspektorëve është realizuar në 25 mishtore të komunës së Prizrenit, ku në disa raste janë dhënë vërejtje për përmirësim të kushteve higjienike dhe mbajtje të evidencave brenda afateve kohore ligjore.
AUV ka bërë të ditur se aksionet për kontroll do të vazhdojnë në të gjithë Kosovën, për të larguar nga tregu produktet të cilat nuk i përmbushin kriteret ligjore për tregtim.
Nga AUV kanë thënë se do të vendoset rregull për të gjithë tregtimin e mishit në vend. Kushdo qe nuk i plotëson kushtet ligjore, produktet do t’i konfiskohen, mishtoret do të mbyllen dhe do të iniciohet procedura në gjykatë.