Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka dhënë përkrahje marshit protestues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka ftuar anëtarësinë e saj që t’i bashkohen këtij marshi.
“Ne si Aleancë Kosovare e Biznesit i kemi dhënë mbështetjen tonë marshit të 2 prillit me emrin ‘Liria ka emër’. I ftoj të gjitha bizneset e vendit, të cilët dje ishin pjesë e luftës dhe sot janë pjesë e lirisë t’i bashkohen kësaj proteste masovike, në mënyrë që ta çojmë mesazhin se liria ka vërtetë emër. Njerëzit tanë padrejtësisht mbahen në burgje të ndryshme me akuza të pabëra, por drejtësia i qet në shesh të gjitha. Ne mburremi me luftën dhe luftëtarët tonë. Ky marsh nuk ka ngjyrë politike, ka ngjyrë lirie, ngjyrë demokracie, drejtësie”, u shpreh Shahini.
Ndërsa njëra nga organizastorët e këtij marshi njëherësh deputete e PDK-së, Eliza Hoxha, e falënderoi Shahinin për përkrahjen e këtij marshi.
“Për ne është shumë domethënëse që akterë të shumtë që janë nën ombrellën e AKB-së ta mbështesin marshin tonë dhe të na ndihmojnë në realizimin e synimit kryesor që është aktiviteti që e kemi me datën 2 prill në orën 14:00 që të gjithë të solidarizohemi për çlirimtarët që janë në Hagë”, tha ajo.