Në samitin ‘Ballkani i hapur’ që mbahet sot në Beograd, pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.
Në këtë takim do marrin pjesë, kryeministri Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në takimin në Beograd pritet të marrin pjesë edhe kryeministri malazes Dritan Abazoviq, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Në orën 10 është planifikuar një ceremoni hapjeje, ku do të marrin pjesë drejtuesit e Open Balkan.
Në orën 11:00 ata do të takohen me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për tërheqjen e investimeve në kuadër të nismës ”Open Balkan”.
Nga ora 12:00 deri në orën 13:00, drejtuesit do të takohen me përfaqësues të grupeve të krizës të Iniciativës për Furnizimin me Ushqim dhe Energji.
Nënshkrimi i dokumenteve dypalëshe dhe një konferencë e përbashkët për shtyp janë planifikuar për në orën 13:00.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi një ditë më parë pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua marrëveshja që do nënshkruhet mes vendeve të ‘Ballkanit të hapur”, se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin.
Krifca sqaroi se marrëveshja që pritet të nënshkruhet parashikon ngritjen e një mekanizmi që garanton sigurimin ushqimor, mbajtjen e tregjeve të hapura, pa ndërprerje e pa përcaktuar asnjë tavan, siç ka ndodhur në muajt e kaluar, pa përmendur asnjë kuotë.
Ajo tha se kjo është marrëveshje e një tregtie të lirë të pacenuar nga efektet e luftës në Ukrainë të cilat kanë krijuar një ndërprerje të zinxhirit ushqimor në të gjitha vendet e Evropës apo të botës.
Ajo theksoi se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin mes vendeve të “’Ballkanit të hapur’ dhe krijon një siguri më tepër për konsumatorët dhe qytetarët e vendeve të ‘Ballkanit të hapur’”. /Telegrafi