Afaristët qiramarrës nga Ndërmarrja Publike Banesore të lokaleve në rrugën “Agim Ramadani”, kanë bërë një ankesë në drejtim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me çështjen e ngritjes së çmimit për m2.
Në letrën drejtuar kryetarit Rama, afaristët janë shprehur të indinjuar që NPB në bashkëpunim me kryetarin Rama, kanë gjetur mënyrën jo të duhur për të bërë ngritjen e qirasë për m2 në kohën më të pafavorshme për ta si qiramarrës, afaristë e familjar.
“Si i gjithë vendi, edhe ne po kalojmë kohën më të keq që nga paslufta për shkak të pasojave mbi dyvjeçare të pandemisë COVID-19. Përderisa kësaj i shtojmë edhe ikjen masive të popullatës në vendet perëndimore ne si afaristë që kemi për target kryesisht moshën rinore dhe të mesme vuajmë pasojat e këtyre dy trendeve të fundit dhe përballemi me rënie drastike të punës e që për pasojë mezi arrijmë t’ia dalim nga muaji në muaj. Ju, Rama, si kryetar i Prishtinës bashkë me NPB-në keni gjetur kohën më të papërshtatshme për të hapur çështjen e ngritjes së qirasë në një formë të prerë siç na u komunikua edhe nga takimi me zyrtarët e NPB-së”, thuhet në ankesën e afaristëve drejtuar kryetarit Rama.
Më tej në këtë ankesë thuhet se: “Ju vejmë në dijeni se në rast se edhe ju jeni mbrapa këtij vendimi (NE SI QIRAMARRËS) ju kundërshtojmë fort dhe pabindshëm në realizimin e kësaj ngritje të qirasë në këtë mënyrë. Duke llogaritur që ne si qiramarrës disavjeçar do duhej të krijonim një marrëdhënie bashkëpunimi si institucione e qytetar fillimisht e pastaj ne si klient NPB bashkë me Komunën e Prishtinës në mënyrë arbitrare sjellin vetëm njoftimin për rritje të qirasë gjë që nuk ndodhë as në një marrëdhënie të biznesit privat me klient. Nuk keni dhënë fare hapësirë negociuese në këtë rast dhe nuk keni qenë të gatshëm as Ju e as NPB që të na konsultojë paraprakisht që të arrijmë një modus të kësaj çështje të ngritur”.
Qiramarrësit paralajmërojnë protestë nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.