Mediat franceze së fundi raportuan se në futbollin kosovar mund të ketë pasur trukime të rezultateve në disa ndeshje duke tronditur kështu opinionin sportdashës në vendin tonë.
Gazeta franceze “Le Figaro” raportoi se njëri nga klubet e Superligës së Kosovës është i përfshirë në këtë aferë dhe se për këtë çështje në Francë tashmë janë arrestuar nëntë persona, transmeton KosovaPress.
I kontaktuar nga KosovaPress rreth kësaj çështje, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se edhe më tutje janë në pritje të zhvillimeve të reja pasi deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë institucion zyrtar që ndonjë klube kosovar është i përfshirë në këtë aferë.
“Për momentin nuk kemi se çfarë të komentojmë. Deri më tani kemi vetëm raportime të thata të disa mediave. Asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar diçka rreth kësaj çështje. Ne jemi në pritje dhe të gatshëm të bashkëpunojmë më të gjitha institucionet përgjegjëse. Unë jam i gatshëm dhe do t’i luftojë fuqishëm këto dukuri negative në futboll, por ende nuk kemi asgjë të konfirmuar. Pasi që është raportuar se janë arrestuar disa persona, atëherë ne po presim se çfarë do të dalë nga kjo situatë.”, ka thënë Ademi për KosovaPress.
Në lidhje me këto raportime, të premten ka reaguar edhe Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimi e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive i cili ka kërkuar që të hetohet çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive.
Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë duke u marrë më trajtimin e e çdo dyshimi të ngritur.