Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar njëzëri se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Sipas vendimit, kuotat gjinore të përcaktuara në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garantojnë përfaqësim të drejtë dhe respektojnë parimet e barazisë gjinore.
Tahiri, i cili është Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vendim, duke theksuar se reforma zgjedhore ka adresuar dhjetëra rekomandime nga organizata vendore dhe ndërkombëtare.
Postimi i tij i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sapo konfirmoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën duke vendosur njëzëri se niveli i përcaktuar i kuotave gjinore në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garanton përfaqësim të drejtë duke respektuar parimet e barazisë gjinore.
Si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, jam shumë i kënaqur që punën tonë e vulosi edhe Gjykata Kushtetuese krahas vlerësimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë pasi ky ligj kishte adresuar dhjetra rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si në raport me përmirësimin e integritetit zgjedhor ashtu edhe në garantimin e të drejtës kushtetuese zgjedhore të shtetasve tanë brenda dhe jashtë vendit për të manifestuar vullnetin e tyre të lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Vlen të theksojmë se reforma zgjedhore e realizuar në këtë mandat qeverisës dhe nën udhëheqjen e opozitës parlamentare përbën ndër sukseset e pakta të kësaj legjislature e cila pas një kohe të gjatë mbi 12 vjeçare të zvarritjes së kësaj reforme kishte rezultuar e suksesshme, dhe sot, si e tillë, u konfirmua edhe tërësisht në pajtim me Kushtetutën.