Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar sërish në lidhje me zhvillimet në veri dhe kërkesën e ShBA-ve drejtuar Qeverisë së Kosovës për shtyrje të afatit për targa.
Abdixhiku ka thënë se krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të, është investimi më i madh i Serbisë në Kosovë.
Abdixhiku ndër të tjera thotë se ky investim ka prekur edhe figura me ndikim në pushtet dhe analistë të pushtetit.
Postimi i tij i plotë:
“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me nidkim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje.
Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndërrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndërrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë.
Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë.
Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhëti.
Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik”, thuhet në reagimin e tij të plotë.