Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si tri parti opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas lëshimit të seancës në hollin e kuvendit ka thënë se sjellja e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, karshi situatës në KEK është sjellje bandideske.
“Kjo sjellja e qeverisë dhe kryeministri karshi situatës në KEK është sjellje bandideske. LDK tashmë e ka treguar me kohë se çfarë po ndodhë aty”, ka thënë Abdixhiku para gazetarëve.
Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Nagip Krasniqi në komisionin hetimor ka treguar hapur se ka fuqinë dhe besimin nga kryeministri që të bëjë kontrata një burimore.
“Nagip Krasniqi ne komisionin hetimor ka ka treguar hapur de ka fuqinë dhe besimin nga kryeministrit që të bëjë kontrata një burimore. Ne si PDK në bazë të raportit të komisionit po përgatisim një kallëzim penal që ta dërgojmë në Prokurori”, shtoi ai.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në Kuvend lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili tashmë është në mbajtje për 48 orë.
Kreu i ekzekutivit tha se sistemi i drejtësisë tanimë po merret me çështjen e tij e cila siç tha ai ka fakte ndërsa shpreson që të merren me profesionalizëm e përpikmëri me këtë rast.
Kryeministri Kurti tha se opozita u gëzuan lidhur me këtë rast, ndërsa sipas tij në të kaluarën ka pasur shumë kryeshefa në KEK, e ka pasur keqpërdorime por nuk janë trajtuar asnjëherë nga sistemi i drejtësisë.