Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas procesit zgjedhor të së dielës ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.
Abixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se: “Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak”
“Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut! Punuam mbarë. Ecëm drejtë.
Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë. Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë”, ka shkruar ai.
Tutje Abdixhiku ka thënë se është krenar nga ky rrugëtim që kanë bërë deri më tani.
“E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dimë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe.
Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, Do të ketë dritë”, tha ai.
I pari i LDK-së thotë se: “Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike”. /Telegrafi/