“Lidhja Demokratike e Kosovës është një parti që zhvillimin ekonomik e ka fokus të parë”, kështu ka thënë Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku gjatë një vizite në kompaninë JONI-SH, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imta.
Sektori i ‘agrikulturës, pyjeve dhe peshkatarisë’ merr pjesë me 7% të Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë.
Komunikata e plotë:
Abdixhiku: Qeveria po e ngulfat sektorin privat që ka nevojë për mbështetje dhe çmime të përballueshme të energjisë
“Lidhja Demokratike e Kosovës është një parti që zhvillimin ekonomik e ka fokus të parë”, kështu ka thënë Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku gjatë një vizite në kompaninë JONI-SH, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imta.
Sektori i ‘agrikulturës, pyjeve dhe peshkatarisë’ merr pjesë me 7% të Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë.
“Grumbullimi dhe përpunimi i ushqimit mbetet një sektor që meriton të zhvillohet tutje dhe do të sjellë vlerë të shtuar në vendin tonë. Ne shohim shumë potencial nga kompanitë si Joni-SH, që ofrojnë produkte natyrale dhe bio, që janë tepër të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Ky sektor punëson drejtpërdrejtë mbi 10,000 punëtorë, dhe ky numër shkon në 50,000 kur llogaritet i gjithë zinxhiri, duke përfshirë edhe fermerët që ofrojnë produktet e tyre bazë. Ky sektor, në përgjithësi punëson më shumë gra, rreth 62%. Pra ndihma ndaj këtij sektori është ndihmë për gratë në Kosovë”, ka shtuar kryetari Abdixhiku.
Ai nga afër u njoftua me sfidat që ka ky sektor dhe përpunuesit në përgjithësi.
Kriza energjetike që goditi Kosovën në muajt e verës ka bërë që shpenzimet e kompanive të rriten dhe fitimi të zvogëlohet. Qeveria Kurti nuk ka planifikuar dhe nuk ka bërë mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, dhe si rezultat kemi ndërprerjet. Kështu, për kompanitë, kjo do të thotë se investimet që janë paraparë të bëhen në zgjerim të biznesit duhet të presin ditë më të mira.
Abdixhiku gjithashtu përmendi që LDK ka një plan 10-pikësh për përballimin e krizës së energjisë elektrike. Plan që ofron zgjidhje edhe për sektorin e biznesit në Kosovë, që të kalojnë sa më lehtë krizën të cilën nuk po e zgjidhë qeveria e papërgjegjshme dhe e paaftë. Ai tha se pika 9 e planit parasheh themelimin e bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri ku do të mundësohet tregtimi i lehtë dhe i shpejtë i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona.
Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to.
Këto takime janë pjesë e serisë së takimeve me qytetarë dhe biznese “LDK ju dëgjon”, përmes të cilave LDK do të krijojë politika të përgatitura enkas për të adresuar temat aktuale dhe për t’u përgatitur për të ardhmen.