Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, në takimin lamtumirës me përfundimin e mandatit të tij.
Abdixhiku ka falënderuar Hovenierin për angazhimin e tij, duke qenë i afërt me Kosovën jo vetëm gjatë kohës sa ishte ambasador, por edhe me shpalljen e pavarësisë së vendit.
Postimi i plotë i tij:
Ambasadorin e SHBA-ve Jeffrey Hovenier, e prita në takim lamtumirës në Selinë Qendrore të LDK-së.
E falenderova për gjithë angazhimin e gjithë përkushtimin e tij, jo vetëm si ambasador, por dhe si përfaqësues amerikan i viteve të shpalljes së pavarësisë. Jeff ka qenë njohës i mirë i Kosovës, ka qenë përfaqësues i mirë i interesave strategjike të SHBA-ve në Kosovë; dhe mbi të gjitha kujdestar i përkushtuar i relacioneve mes dy popujve!
Jeff, ka qenë pasionant i futbollit kosovar. Kemi ndjekur bashkë lojëra të shumta të Kombëtarës së Kosovës. Në LDK, u kujdesëm që si gjysh i 6 mbesave e 1 nipi që është – Charlotte, Oliver, Lucie, Jacqueline, Katherine, Madeline, Amelia – me të kthyer në shtëpi, t’u dhurojë atyre nga një fanellë të kombëtares sonë me emrat e tyre në to. T’i mbajnë si kujtim të përhershëm nga shteti i fundit ku ai shërbeu si ambasadorë.
LDK pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe historik me ambasadorin e ri të administratës së re, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse lidhja jonë është ideologjike, është insitucionale, është afatgjate – tash e 35 vjet!