Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për shtrenjtimin e çmimeve, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse e di se në çfarë gjendje janë qytetarët e Kosovës.
Abdixhiku ka folur se në cilat produkte u është shtrenjtuar jeta qytetarëve.
“Kryeministër duhet të kuptoni saktë gjendjen që është në Kosovë. Ndoshta ndërrimi i kostumeve tuaja ju bën të kuptoni se gjendja ka ndërruar. Por, e vërteta është krejt ndryshe. Ju nuk jeni në gjendje të përmendi asnjë masë se ka ndryshuar gjendja në Kosovë. Ju po përmendi politika sociale. Ata njerëz që i shtyjnë si pacient çdo ditë korridoreve. Ata për të cilët blejnë barna të shtrenjta. Ata që paguajnë bukën shtrenjtë. Mbi të gjitha, ua keni shtrenjtua rrymën gati 100 për qind, njëjtë edhe naftën. Pyetja është e thjeshtë. A e dini si mbijetojnë këta njerëz?”, ka pyetur Abdixhiku.
Ai tutje është shprehur se LDK ka propozuar që të zvogëlohet akciza për naftën, por kjo ende nuk ka ndodhur.
“Ju keni inat me propozuesin e jo propozimin”, ka thënë Abdixhiku.