Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin që e kishte pasur me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, në gusht të vitit 2022, kishte pranuar një dokument mbi pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut.
Sipas Abdixhikut, pas diskutimit në fund të takimit për dialogun, Kurti ua ka dorëzuar një dokument një-faqësh. Ai ka thënë se dokumenti mbante e elemente të kornizës së marrëveshjes finale.
Abdixhiku ka shtuar se në një takim tjetër, kur Kurti ua kishte dorëzuar planin franko-gjerman, në të nuk shkruhej njohja reciproke.
“Kapitulli i parë parashihte njohjen reciproke me Serbinë. Kapitulli i dytë krimet e luftës të zhdukurit, në kapitullin e pestë thuhej se do të bëhej rikonsiderimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Në një takim tjetër të zhvilluar në zyrën e tij, disa muaj më vonë, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dy-faqësh i njohur si propozimi franko-gjerman, ai propozim nuk përmbante marrëveshjen finale dhe ishte larg dokumentit që ma kishte propozuar Kurti në takimin e parë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se më 6 shkurt 2023 nëpërmjet një postimi të kryeministrit në Twitter kuptuan se kryeministri e ka pranuar ne parim propozimin në fjalë.
Sipas tij, askush nuk e di në Kuvend se çka ka pranuar kryeministri.
“Se edhe ashtu ai nuk i raporton këtij Kuvendi. I kam 4 pyetje për kryeministrin për ta kuptuar se çka ka nënshkruar ai. Në marrëveshjen e pranuar nga ju në parim a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme apo për marrëveshje bazë? Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a e ka njohjen e ndërsjellë në qendër të saj? Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a i ka elementet e platformës suaj që na i prezantuat në gusht të 2022-tës? -Marrëveshja e pranuar nga ju në parim a e parasheh rikonsiderimin e marrëveshjeve paraprake apo implementimin e të gjitha marrëveshjeve pa dallim? Na trego se çfarë elementesh ka produkti juaj përfundimtar në këtë proces të udhëhequr nga ju”, ka thënë ai.