Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se duan të parashtrojnë një mocion procedural.
Me këtë rast Abdixhiku ka prezantuar mocionin procedural, edhe pse ka hasur në zhurma të shumta nga deputetët e pushtetit.
Abdixhiku ka folur hapur në lidhje me takimin e 27 shkurtit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuciq me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.
“Këtë javë më 27 shkurt, në takimin e lartë në Bruksel Kurti-Vuciq është arritur dakordimi për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e pa-prezantuar në Kuvend por e dakorduar në Bruksel u prezantua më 27 shkurt.Kjo kishte 11 nene, një parathënie të dyja të bëra publike por edhe një aneks të pabërë publik por që palët janë zotuar ta zbatojnë sipas nenit 11.U vërtetuan brengat tona të ngritura në këtë Kuvend, ajo as nuk ishte finale, as njohje të ndërsjellë siç ishte orientimi i institucioneve të Kosovës dhe mbështetja ndërkombëtare që nga letra e presidentit Biden më 2021.Ajo që merr vëmendjen e parë në këtë marrëveshje të publikuar e të pa-prezantuar në Kuvend ishte ajo që ishte mbajtur fshehtë nga kryeministri i Kosovës në raportimin e fundit. Arsyen e mbajtjes fshehtë të kësaj parathënie e gjenë në dy formulime skandaloze me dëme historike për Kosovën.Edhe ky formulim mban dakordimin e kryeministrit të Kosovës e para ka të bëjë me trashëgimin e së kaluarës ndërsa e dyta mbi çështjen e statusit. Nga të dyja këto formulime tejkalohet e kaluara në mes Kosovës dhe Serbisë me dakordim të palëve, përfshirë krimet e masakrat sepse palët kanë vendosur të tejkalojnë trashëgimin e së kaluarës me një copë letër. Si dhe ballafaqimin me Serbinë.Kryeministri i Kosovës pajtohet me tejkalim të trashëgimisë dhe me një rast të paprecedent, Kosova pajtohet me mosnjohjen e Serbisë”,tha Abdixhiku, transmeton lajmi.net.
Tutje ai shtoi se ky formulim në preambulë neutral të statusit të Kosovës është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në dialog nga kryeministri i Kosovës.
“Neutraliteti mbi statusin është dëm për Kosovën, madje dhe në marrëveshjet paraprake si ajo e fusnotës ishte ajo e GJND-së për marrëveshjet e Kosovës. Marrëveshja Kurti-Vuçiq shkel marrëveshjet dhe jep bazë të re të çështjes së Kosovës në stade të paimagjinuara ndonjëherë. Pra jo vetëm qe nuk ka njohje por ka neutralitet ndaj statusit të saj.Përtej euforisë politike të turmave të pushtetit e vërteta e substancës së kësaj marrëveshje gjendet në nenet 7 dhe 10.Pra përveç faktit që tejkalohet trashëgimi e së shkuarës dhe statusi i shtetit përveç faktit se s’ishte marrëveshje përfundimtare e s’kishte njohje në të këto dy nene gjejnë elemente qenësore të marrëveshjes për të cilat kryeministri nuk guxon të flasë.Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për shkelje të marrëveshje të së kaluarës”,shtoi ai.
Abdixhiku është ankuar edhe në lidhje me zhurmën e krijuar në Kuvend, derisa tha se pushteti siç duket po frikësohet nga ky mocion.
“Nuk e di pse pushteti po frikësohet nga kjo. Më lejoni të procedojë këtë çështje. Faleminderit që u munduat të mbani qetësi në një çështje ku kërkohet thjeshtë raportimi i kryeministrit për këtë çështje. Jeni shumë në numër e pak në negocim”, tha Abdixhiku duke iu referuar pozitës.