Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në interpelancën në Kuvend me kryeministrin Albin Kurti, tha se Qeveria është pajtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku shtoi se 17 për qind e territorit është pa polici, prokuror, gjyqtar e shërbime bazike komunale.
Ai lexoi një pjesë të deklaratës së kryediplomatit europian, Josep Borrell pas marrëveshjes së fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i LDK-së lexoi se në të thuhet se palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen.
“Kur i dëgjon pozicionimet e qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel. Kryeministri foli për siguri e luftë ndaj krimit, ndërsa derisa flasim 17 për qind e territorit është pa polici, gjyqtar e prokurorë”.
“Një aksident rrugor nuk mund ta zgjidhin në veri, një dhunë në familje s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës”.
“Pse jeni pajtuar që të bëhet Asociacioni?”, tha ai.
Ai tha se synim i Serbisë është që të dështojë dialogu.
“Kosova të mos bjerë në asnjë grackë destabilizuese e aq më parë që ato që ndodhin në vendin tonë. Dhe të mos merr fajësim për asnjë lloj dështimi në këtë proces. Sepse sikurse destabilizimi ashtu edhe dështimi në këtë proces dialogues janë synime të Serbisë”, tha Abdixhiku.