Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se ikja e stafit shëndetësor nga Kosova është bërë problem kombëtar.
Kreu i LDK-së thotë se këtë problem Kosova duhet ta trajtojë me urgjencë të lartë. Ai thotë se stafi shëndetësor kanë nevojë për paga më të larta e sigurime shëndetësore.
“Këtë mëngjes, takova studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Secili me përkushtim të dalluar në rrugën profesionale që ndjekin.
Folëm për kushtet e tyre sot e pritjet e tyre për nesër. Ikja e stafit shëndetësor nga Kosova është bërë problem kombërar i yni. Këtë problem Kosova duhet ta trajtoj me urgjencë.
Paga më të larta, sigurime shëndetësore sa më parë, e investime kapitale në nivel dyfish më të lartë, mbesin zgjidhje të pazëvendësueshme sot.
Të tillët si këta që i takova, meritojnë një shtet që u jep të ardhme të mirë. Kosova ndërsa, i meriton si gjeneratë në ardhje në shëndetësi”, shkruan Abdixhiku.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është paralajmëruar largimi edhe i 32 mjekëve nga Kosova.
Këtë e ka bërë të ditur Pleurat Sejdiu, drejtor i Odës së Mjekëve të Kosovës. Ai tha se këta 32 mjekë kanë kompletuar dokumentet, kryesisht për Gjermani.