Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shprehur se duhet të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Abdixhiku tha se ky është obligim ndërkombëtar, por formimi i tij duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas tij, çështje e diskutimit është vetëm koha e themelimit të Asociacionit dhe ajo se si do të duket ai.
“Kushtetuesja e ka dhënë vendimin me 22 pika mbi të cilin duhet të bazohet ky Asociacion. Asociacioni duhet të formohet. Pyetja është kur dhe si”, ka thënë ai në T7.
Abdixhiku po ashtu ka thënë se Kosova është vënë në pozitë të keqe edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë me veprimet e fundit në kuadër të dialogut.
“Vuçiq mburrej para Serbisë se rreshtohej me Putinin. Si mund të bëhet sot që SHBA të dalë e ta lavdërojë për konstruktivitet e neve të na japë kritika”, shtoi ai.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte – mes tjerash, ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.
Një tjetër kusht, sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik. “Duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”, është shprehur Kurti.
“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, ka thënë Kurti.
Kushti i katërt, sipas Kurtit, është që, para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit të Kosovës.
Duke numëruar kushtin e fundit, Kurti ka thënë se “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.
Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.