Shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së ka thënë se kërcënimet e Serbisë për zgjedhjet në veri të vendit janë synime destabilizuese.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Tahiri kërkoi nga Qeveria e vendit të jetë e kujdesshme, sepse sipas tij, Serbia nuk mund t’i vendos kushte Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
“Agjenda e Qeverisë së Serbisë nuk është e fshehtë, është e hapur, është armiqësore dhe është me synime destabiluzese. Ata(Serbia) po i presin gabimet tona dhe këtu duhet të jetë i kujdesshëm kryeministri Kurti dhe qeveria që mos ta krijojë alibi sidomos te faktori ndërkombëtar. Serbia nuk mund t’i qes kushte Kosovës, ka përfunduar ajo kohë ën vitin 1999”, theksoi ai.
Ndërsa, Tahiri theksoi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar që të mos bllokohen të hyrat vetanake për komunat nga Ministria e Financave. Në të kundërtën ai tha se AAK nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
“Në mbledhjen e Kryesisë ne dy çështje që ne si Grup Parlamentar I adresuam. E para ka të bëjë me problemin e të hyrave vetankae për komunat. Ajo që theksova në kryesi, është se AAK-ja nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, nuk do të merr pjesë në asnjë proces të ligjeve përderisa nuk qartësohet kjo çështje. Është e pa drejtë dhe e pa kuptueshme që kur e kemi kaluar Ligjin për Buxhetin, përkatësisht në nenin e propozuar nga LDK-ja, ne e kemi pasur një qëllim, dhe ai ka qenë që të hyrat vetanake të mund të shfrytëzohen nga komunat. Dhe nuk ka asnjë logjikë që dikush që paguan tatimin në pronë në fshatin Bradash, ajo para të kthehet tek Ministria e Financave, pastaj të shpërndahet kushtimisht në fshatin Gramaqel”, tha ai.
Po ashtu Tahiri pati edhe një kërkesë tjetër nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo qeveri e bëri katrahurë sektorin publik me ligjin e pagave, tash po donë me lënë katrahurë edhe sektorin privat. Paga minimale vazhdon të jetë 170 euro. Kështu që kjo qeveri nuk e ka as në planifikim. Kërkesa e AAK-së është që urgjentisht ta sjellin ën kuvend projektligjin për pagën minimale”, theksoi ai.