Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar reflektim nga Qeveria e Kosovës për gjendjen me veteranët e luftës.
Në konferencë për media, Tahiri ka thënë se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje për situatën në vend.
“Ne kërkojmë nga Qeveria që të mos prodhojë kriza, por të ofrojë zgjidhje. Vazhdimi i debatit përmbajtjesor me shoqatat e veteranëve është i rëndësishëm për të krijuar zgjidhje dhe për të zhbllokuar Kuvendin”, tha ai.
“Pazotësia e Qeverisë për t’u përballur me kërkesat e qytetarëve, po krijon kriza. Kjo qeveri në vend që të ofrojë zgjidhje, po imponon konflikte në Kuvend”, u shpreh Tahiri.
Tahiri tregoi që si grup parlamentar kanë propozuar dy amandamente, që sipas tij janë të nevojshme për dalje nga kriza.
“AAK, ka deponuar 2 amandamente në Kuvendin e Kosovës;
Që deri në kategorizimin përfundimtar të veteranëve, pensioni i veteranit të jetë i barazvlefshëm me pagen minimale;
Ne gjithashtu kerkojmë që paga minimale të jete më e lartë se kjo që e ka propozuar Qeveria, për shkak se shuma prej 260 euro nuk është ekuivalente siç ka qenë para dy viteve për shkak të rritjes së inflacionit”, tha ai.