Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar që ta kundërshtojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“ZRrE-ja pritet të caktojë vlerat maksimale të çmimit të energjisë elektrike. Pritet që në mbledhjen tjetër, që mund të ndodhë këtë javë, të bëhet shqyrtimi i tarifave. Dhe sipas propozimit të ZRrE-së, rritja e çmimit të energjisë do të jetë 14%”, ka thënë Besnik Tahiri.
Tahiri ka shtuar se kjo rritje është e palogjikshme duke parë rritjen e të gjitha çmimeve tjera dhe kjo është e papërballueshme për qytetarët.
“AAK-ja e kundërshton me çdo kusht rritjen e këtij çmimi, dhe do të marrim të gjitha masat e mundshme që të parandalojmë këtë. Është e palogjikshme që rritja prej 14% t’iu faturohet qytetarëve, duke parë edhe rritjen e të gjitha çmimeve, nga tatimi në pronë e deri te çmimet që lidhen me komunalin”, ka shtuar Tahiri.
Sipas tij, qeveria do duhej të ketë qëndrim të saktë në raport me këtë temë, a do ta subvencionojë apo jo, cili do të jetë pozicioni i Qeverisë dhe Zyrës së Presidentes.
“Është e palogjikshme që të ndodhë kjo çështje, andaj ne nuk do ta votojmë këtë raport”, është shprehur Tahiri.