Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një ndihmë ushtarake prej 270 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë katër sisteme të tjera raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS), duke e çuar numrin e tyre të dërguara në Ukrainë në 20.Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, njoftoi ndihmën më 22 korrik dhe tha se Rusia “ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, duke goditur qendrat tregtare, ndërtesat e banimit, duke vrarë civilë të pafajshëm ukrainas”.
Ai tha se përballë këtyre “mizorive”, presidenti i SHBA-së, Joe Biden “e ka bërë të qartë se ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj për aq kohë sa të duhet”.
Ukraina ka thënë se HIMARS-et e dërguara deri më tani kanë bërë një ndryshim të madh për trupat ukrainase në kundërshtimin e forcave ruse. Sistemet mund të godasin me saktësi objektivat deri në 80 kilometra larg.Kirby tha se ndihma e re do të përfshijë gjithashtu 500 dronë portativë që shpërthejnë në objektivat e tyre dhe 36,000 fishekë municione artilerie.Pjesa më e madhe e ndihmës vjen nga një paketë prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën e miratuar nga Kongresi në maj./REL