Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili tashmë është vetëm deputet në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të partisë së tij, Lumir Abdixhikut, pasi ky i fundit në një intervistë për ATV ka thënë se Vjosa Osmani nuk është presidente e të gjithëve.
“Unë dëshiroj që presidentja të jetë e të gjithëve, e nuk është e të gjithëve, nuk është një trysni, domethënë unë këtë e them vazhdimisht. Kur të them e të gjithëve, jo e partive politike, se nuk më duhet mu presidentja sepse nuk kam asnjë interes nga institucioni i presidentes, por dua qe te mbaj mendimin me të gjitha palët dhe jo vetëm me një palë. Në momentin që presidenti bëhet me një palë është nje garë elektorale dhe atë mund ta bëjmë por nuk je aty për te bërë garë”, kishte thënë Abdixhiku në ATV, raporton Express.
Veliu ka thënë se Abdixhikut i është dashur një vit që të kuptojë një gjë të tillë.
Për Veliun, sjellja e Osmanit ndaj Abdixhikut ngjanë me atë thënien “E kapërceva lumin…”
Reagimi i plotë:
Është dashur të kaloj një vit që Lumiri ta pranoj se Vjosa Osmani nuk është presidente e të gjithëve.
E tha se me presidenten ka vetëm një komunikim institucional.
Shumë normale kjo.
Derisa e bëri presidente kishte komunikime të përditshme.
Një presidente që ka ardhur në pushtet nën petkun e VV-së dhe e përkrahur nga disa deputetë të LDK-së të ndikuar nga Lumiri, pra pa konsensus të gjerë, nuk mund të jetë e të gjithëve! E VV-së po, pa dyshim, por pse jo e Lumirit dhe e kompanisë së tij, kjo është pak e çuditshme!
Nuk është për t’u habitur pse Vjosa sillet ndaj Lumirit sipas asaj thënies “E kapërceva lumin…”
Fundja, askush nuk ka pritur se do të ndryshojë Vjosa, që ka shkëlqyer si politikane përçarëse dhe konfliktuoze, deri në përpjekjen për shkatërrimin e partisë që e rriti.