Kuvendi i Shqipërisë sot pritet ta votojë një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”. Kjo çështje në krye të rendit të ditës së seancës së sotme plenare, që pritet të nis në orën 10:00. Kështu, kryeministri Edi Rama, përmes partisë së tij e nis zyrtarisht betejën e paralajmëruar për mikun e tij, ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, që është produkt i pretendimeve të Dick Martyt.
Para një muaji, pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, Rama kishte paralajmëruar për nisjen e një fushate që do të përfshijë Uashingtonin, Parisin, Berlinin e qendra tjera të botës, për të dokumentuar se Ushtria Clirimtare e Kosovës s’ka qenë e përfshirë në trafikim organesh.
Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciar deputetët e PS’së Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet të vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.
Në tekstin e projekt-rezolutës që pritet të votohet thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara, prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në projekt-rezolutë.