Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka formuar forumin e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga kjo parti, që do të shërbejë si mekanizëm për adresimin e problemeve të komunave në raport me qeverinë qendrore.
Ky forum do të drejtohet me rotacion nga kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK, ku fillimisht do të udhëhiqet nga Ardian Gjini.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se ka kohë që Qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me komunat.
“Jemi të shqetësuar që Kosova mund të shkojë në kolaps për shkak të krizës energjetike në prag. Jemi dëshmitar që inflacioni në vend është mbi 14% dhe nuk pp shohim veprime konkrete të qeverisë për t’u përballur me këtë krizë. Qeveria po i grumbullon paratë në arkën e shtetit mirëpo mirëpo nuk po i nxjerr ato në qarkullim, nuk po i kthen në ekonomi”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se kanë vendosur ta formojnë forumin e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga AAK për të adresuar problemet në raport me qeverinë qendrore.
“AAK ka dëshmuar nivel të mirë qeverisës nëpër komuna, forumi i kryetarëve të AAK-së ka vendosur që udhëheqja të jetë me rotacion dhe i pari që do t’i prijë do të jetë kryetari i Gjakovës dhe nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini”, përfundoi Haradinaj.