Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka analizuar dy kontrata të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për furnizim me oksigjen.
Oksigjeni (në formë të gaztë dhe atë të lëngshme) ka qenë një nga produktet që është përdorur më së shumti për trajtimin e pacientëve të shtrirë në spitale gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Përderisa para pandemisë, kërkesa për oksigjen ka qenë më e vogël, gjatë pandemisë kërkesa është rritur për disa herë.
SHSKUK, në fillim të pandemisë, 7 maj 2020, kishte lidhur kontratë kornizë me kompaninë Medical Group për furnizim me oksigjen për inhalim për përdorim në menaxhimin e hipoksisë.
“Çmimi i kontratës për një kilogram oksigjen ishte 1.68 euro dhe në total kontrata parashihte që të porositeshin 485,736 kg. Mirëpo vetëm dy muaj më vonë, më 23 korrik 2020, SHSKUK nënshkruan një kontratë tjetër përmes procedurës së negociuar me kompaninë Medica, për furnizim të njëjtë, mirëpo këtë herë me çmim 2.01 euro për kg oksigjen, respektivisht rreth 20% më shtrenjtë për njësi.
Sasia që është porositur përmes kësaj kontratë është 44,250 kg në vlerë prej 88,942.50 euro. Duke qenë së në kohën e zhvillimit të këtij prokurimi, SHSKUK veçse kishte një kontratë aktive me Medical Group, ka mundur që të njëjtën sasi ta porosisë përmes kësaj kontrate në çmim prej 14,602.50 euro më lirë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, KDI ka analizuar edhe një aktivitet tjetër të prokurimit që ka të bëjë me furnizimin me oksigjenin e lëngshëm.
SHSKUK më 1 prill 2021 publikoi aktivitetin e prokurimit “Furnizim me oksigjen medicinal për nevojat e SHSKUK” për furnizim me 5.2 milion litra oksigjen në vlerë të parashikuar prej 2.44 milion euro.
Vlera e parashikuar për një litër oksigjen ishte 0.47 euro bazuar në kontratën paraprake me Medical Group. Për këtë tender, SHSKUK kishte pranuar tre oferta të përgjegjshme (Medical Group SH.P.K me çmimin për litër 0.38€; Liri – Med SH.P.K me çmimin për litër 0.46€; dhe NPT Medica me çmimin për litër 0.37€), me çmime prej 2% deri në 21% më lirë se kontrata aktuale.
“Megjithatë, pas rreth 50 ditësh nga dorëzimi i ofertave, ky tender ishte anuluar sipas kërkesës nga Barnatorja Qendrore nën arsyetimin se me uljen e rasteve me COVID-19 është zvogëluar edhe kërkesa për oksigjen medicinal. Anulimi i kësaj procedure do të nënkuptonte që do të vazhdohej të bëheshin porosi me oksigjen me kontratën aktive në atë kohë (kontrata me OE Medical Group, me çmim 0.47 euro për litër), por që në muajin qershor 2021 kishte arritur në rreth 84% të sasisë së shpenzuar”, thuhet më tej.
KDI ka gjetur edhe pse është anuluar tenderi. SHKSUK vetëm gjatë muajve maj – gusht 2021, kur është nënshkruar një kontratë e re duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kishte porositur 428,000 litra oksigjen.
“Po të llogariten me çmimin e kontratës ekzistuese 428,000 litra oksigjen kanë kushtuar 201,160 euro, ndërsa nëse do të nënshkruhej kontrata me kompaninë Medica, kjo sasi do të kushtonte 158,360 euro (428,000 * 0.37) respektivisht 42,800 euro më lirë.
Më 27 gusht 2021, SHSKUK nënshkroi kontratë të negociuar me kompaninë Medical Group me çmim 0.36 euro për një litër oksigjen. Pra kjo kontratë, ka mundur të mos ekzistonte fare, sikur të lidhje kontrata në muajin qershor me kompaninë Medica, me çmim prej 0.37 euro”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
KDI vlerëson se si pasojë e mospërgatitjes, trajtimin e dukur të nevojave për oksigjen dhe veprimeve të gabuara, në të dy rastet e sipër cekura për furnizim me oksigjen, SHSKUK i ka shkaktuar humbje në buxhetit publik prej rreth 57,000 euro. /Telegrafi/