Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi dhe Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në një konferencë për media kanë kritikuar qeverinë e Kosovës për mosveprim sa i përket rritjes së çmimit të naftës.
Deputeti Mustafa u shpreh se LDK do të paraqes një rezolutë ku propozon uljen e akcizës në derivate raporton Gazeta Express.
“Çmimi i litrës po shkon drejt 1 euro 90 centë. Nëse për një periudhë të caktuar do të hiqej akciza, çmimi do të ulej në 1 euro e 20 centë pra kjo qeveri po ju merr rreth 60 centë qytetarëve. Grupi Parlamentar i LDK-së do të propozojmë rezolutë për uljen e akcizës në derivate dhe uljen e TVSH-së në produkte bazike”, ka thënë ai.
Ndërkaq, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, u shpreh se qeveria e Kosovës s’ka marrë asnjë masë në ndihmë të qytetarëve pas rritjes së çmimeve.
“Vendi më i varfër në evropë me çmimet më të larta të derivateve. Qeveria po e luan rolin e spektatorit nga lartë duke parë qytetarët se si ballafaqohen me rritjen e çmimeve LDK ka paralajmëruar para 95 ditësh uljen e TVSH-së, qeveria na injoroi. Është e vetmja qeveria e Kosovës që s’ka marrë asnjë masë për të ju dalë në ndihmë qytetarëve”, tha ajo.