Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shkruan Express.
Ajo në një postim në Facebook ka thënë se rekomandimet e Komisionit të Venecias do të adresohen pranë grupit punues të Komisionit për Legjislacion.
“Falenderoj deputetët e Kuvendit për miratimin në parim të projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Rekomandimet e Komisionit të Venecias do të adresohen të gjitha pranë grupit punues të Komisionit për Legjislacion”, ka shkruar Haxhiu.
Me 61 vota për, sot Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kryekuvendari Glauk Konjufca dhe deputetja Doarsa Kica kanë abstenuar, shkruan Express.
“61 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. 58 vota janë për, 3 deputetë kanë abstenuar, kështu që konstatoj se Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha kryetari i Kuvendit.